Fjala përshëndetëse e Ambasadores Kato në Workshop-in e 7-të “Nanoteknologjitë për Shekullin XXI: Aktivitet Bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë, Japonisë dhe Spanjës”

2026/10/28
   Të mërkurën, më 28 tetor, Ambasadorja Kato mbajti online fjalën e saj përshëndetëse në Workshop-in e 7-të “Nanoteknologjitë për Shekullin XXI: Aktivitet Bashkëpunimi ndërmjet Shqipërisë, Japonisë dhe Spanjës”, i cili u zhvillua në format hibrid, me pjesëmarrje fizike në një sallë konferencash në Tiranë dhe pjesëmarrje online.
Ky workshop u organizua në kuadër të Konferencës NanoBalkan (26–30 tetor), e cila po zhvillohet aktualisht në Tiranë.
Ky aktivitet shënoi edicionin e shtatë të workshop-it, i cili e ka zanafillën në shkëmbimet akademike ndërmjet Prof. Yasuaki Einaga, nga Fakulteti i Shkencës dhe Teknologjisë në Universitetin Keio në Japoni, dhe Prof. Arben Merkoçi, me origjinë shqiptare, nga Instituti Katalanas i Nanoshkencës dhe Nanoteknologjisë në Barcelonë, Spanjë.

    
    Në fjalën e saj përshëndetëse, Ambasadorja Kato theksoi se workshop-i synon të shfrytëzojë potencialin e nanoteknologjisë për të garantuar një jetë të shëndetshme dhe të sigurt, si dhe për të adresuar sfidat e përbashkëta shoqërore me të cilat përballen të gjitha vendet, përfshirë çështjet mjedisore dhe energjetike.
Ambasadorja vlerësoi faktin se ky workshop jo vetëm që nxit krijimin e rrjeteve të bashkëpunimit ndërmjet studiuesve pjesëmarrës dhe kontribuon në forcimin e shkëmbimeve akademike mes Japonisë dhe Shqipërisë, si dhe ndërmjet Japonisë, Shqipërisë dhe Spanjës, por tashmë ka sjellë edhe rezultate konkrete përmes zhvillimit të projekteve të përbashkëta kërkimore.
Në përfundim, Ambasadorja Kato shprehu urimet e saj për suksesin e plotë të këtij workshop-i.

 

 
   Gjithashtu, fjalë përshëndetëse mbajtën edhe Prof. Merkoçi dhe një përfaqësues i Ambasadës së Spanjës në Shqipëri.