Ambasadorja Kato merr pjesë në mbledhjen e Bordit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri–Japoni

2026/7/8
 
   Të mërkurën, më 8 korrik, Ambasadorja Kato, në cilësinë e anëtares së nderit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri–Japoni (AJCCI), mori pjesë në mbledhjen e Bordit të Dhomës, të zhvilluar në zyrat e ALTO-s në Tiranë, me ftesë të AJCCI-së.
 
 
   Në hapje të mbledhjes së Bordit, Presidenti Ponari prezantoi aktivitetet e fundit të AJCCI-së. Më pas, z. Adrian Totokoci, Drejtor Ekzekutiv i ALTO-s, mbajti një prezantim mbi veprimtarinë e kompanisë ALTO, anëtare e AJCCI-së dhe përfaqësuese e autorizuar e TOYOTA-s në Shqipëri.
 
   Ambasadorja Kato shprehu vlerësimin e saj për suksesin e veprimtarisë së kompanisë në Shqipëri. Duke përfituar nga rasti, ajo rikujtoi se gjatë Takimit të Nivelit të Lartë Japoni–Shqipëri, të zhvilluar në Tokio më 22 maj, udhëheqësit e të dy vendeve riafirmuan angazhimin e tyre për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe në një gamë të gjerë fushash, përfshirë bashkëpunimin ekonomik. Ajo theksoi gjithashtu se Japonia dhe Shqipëria janë partnere që ndajnë vlera dhe parime të përbashkëta. Në përfundim, Ambasadorja nënvizoi se Ambasada do të vijojë të mbështesë aktivitetet e AJCCI-së, me synim thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të biznesit dhe bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.