Pritje e organizuar për anëtarët e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri-Japoni
2026/7/7

Të martën, më 7 korrik, Ambasadorja Kato organizoi një pritje në rezidencën e saj, ku mirëpriti anëtarët e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri–Japoni, si dhe personalitete që kontribuojnë në zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Japonisë dhe Shqipërisë.
Ambasadorja Kato përshëndeti edhe një herë krijimin e Grupit Parlamentar të Miqësisë Shqipëri–Japoni në legjislaturën aktuale të Kuvendit të Shqipërisë, si dhe emërimin e z. Blendi Klosi në detyrën e kryetarit të këtij grupi. Ajo theksoi se Ambasada, së bashku me anëtarët e Grupit Parlamentar të Miqësisë, do të vijojë përpjekjet për të promovuar dhe zhvilluar më tej marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe ndërmjet Japonisë dhe Shqipërisë. Nga ana e tij, kryetari i Grupit, z. Blendi Klosi, mbajti gjithashtu një fjalë përshëndetëse në emër të Grupit Parlamentar të Miqësisë.

Gjatë pritjes, të ftuarit shijuan gatime të lehta japoneze të përgatitura nga shefi zyrtar i Ambasadës, z. Hideki Miura, si edhe një përzgjedhje të pijeve tradicionale alkoolike japoneze. Anëtarët e Grupit Parlamentar të Miqësisë patën gjithashtu mundësinë të shkëmbenin mendime dhe të forconin kontaktet me përfaqësues të komunitetit të lidhur me Japoninë në Shqipëri, përfshirë Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Japoni, Shoqatën Shqiptare të Ish-Studentëve në Japoni dhe Shoqatën JICA Alumni Shqipëri.

