Dhurim librash për Bibliotekën Publike “Agim Spahiu”, Kukës, nga The Nippon Foundation dhe Tokyo Foundation for Policy Research
2026/4/29

Të mërkurën, më 29 prill, Ambasadorja Kato kryesoi ceremoninë e dhurimit të librave në Bibliotekën Publike “Agim Spahiu” në Kukës, në kuadër të “Projektit të Dhurimit të Librave për të Promovuar Kuptimin e Japonisë” (READ JAPAN PROJECT), i realizuar nga The Nippon Foundation dhe Tokyo Foundation for Policy Research për vitin fiskal 2025. Ky projekt, i njohur si READ JAPAN PROJECT, është në funksion që nga viti 2008 dhe synon dhurimin e librave në gjuhën angleze mbi Japoninë për institucione arsimore dhe kërkimore jashtë vendit. Në Shqipëri, dhurime të tilla janë bërë për biblioteka universitare dhe publike që nga viti 2011. Ky dhurim shënon të 18-in në Shqipëri dhe përbëhet nga 158 libra në gjuhën angleze, që mbulojnë një gamë të gjerë fushash, përfshirë politikën, ekonominë, shoqërinë dhe kulturën japoneze.

Në ceremoninë ku morën pjesë znj. Melita Omuri, Drejtoreshë e Qendrës Kulturore të Qytetit të Kukësit, dhe z. Arber Palushi, specialist në Bibliotekën e Qytetit të Kukësit, Ambasadorja Kato shprehu shpresën se librat e dhuruar do të thellojnë njohuritë e qytetarëve të Kukësit për Japoninë dhe do të nxisin mirëkuptimin e ndërsjellë mes dy vendeve, si dhe do të kontribuojnë në përmirësimin e aftësive në gjuhën angleze përmes leximit të këtyre librave. Drejtoresha Omuri dhe të tjerë shprehën mirënjohjen e tyre për dhurimin e librave dhe shpresën për forcimin e marrëdhënieve me Ambasadën dhe Japoninë.

Ambasadorja Kato shkëmbeu mendime me mësues dhe nxënës të shkollave të mesme që morën pjesë në ceremoni.
Para ceremonisë së dhurimit, Ambasadorja Kato zhvilloi një vizitë kortezie me z. Albert Halilaj, Kryetar i Bashkisë së Kukësit. Kryetari i Bashkisë shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e deritanishme nga qeveria japoneze (përfshirë dhurimin e një kamioni për mbledhjen e mbeturinave në kuadër të Programit të Granteve për Projekte Bazë dhe Sigurinë Njerëzore) si dhe për këtë dhurim librash. Ambasadorja Kato dhe Kryetari Halilaj shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Ambasadës dhe Bashkisë së Kukësit, si dhe ndërmjet Japonisë dhe qytetit të Kukësit.

