#LeadBalkans – Liderët Rajonalë të Diasporës 26 Shkurt 2026
2026/2/27

Konferenca “#LeadBalkans – Liderët Rajonalë të Diasporës” u zhvillua nga data 25 shkurt deri në datën 27 shkurt, në Tiranë, duke mbledhur mbi 100 liderë rajonalë, zyrtarë, akademikë dhe përfaqësues të medias nga i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor. Ky është simpoziumi i shtatë i WBF i mbështetur nga Qeveria e Japonisë.
Konferenca vendosi një theks të fortë mbi nevojën për të ndërtuar një rrjet rajonal më të fuqishëm, ku diaspora të shihet jo vetëm si burim remitancash, por si një partner strategjik për zhvillim, integrim dhe adresimin e sfidave të përbashkëta rajonale. Duke u bazuar në njohjen e nevojës për forcimin e rrjeteve të bashkëpunimit rajonal, diskutimet eksploruan qasje praktike të aplikueshme për rajonin e Ballkanit Perëndimor, ashtu edhe iniciativa individuale të zbatueshme nga secili nga shtetet e rajonit.
Gjatë hapjes së eventit, Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, znj. Miriam Shyti, theksoi se “kemi hyrë në një moment kur diaspora është vendosur në qendër të mendimit strategjik për të ardhmen tonë evropiane, që përfshin Ballkanin Perëndimor”.

Në emër të Presidencës malazeze të bordit drejtues të Fondit të Ballkanit Perëndimor për vitin 2026, Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Malit të Zi, z. Ervin Ibrahimović, përcolli një mesazh të regjistruar, duke theksuar se “diaspora është ambasadori më i mirë i kulturës sonë dhe një partner kyç për mbështetjen e zhvillimit dhe forcimin e lidhjeve jetike ndërmjet rajonit tonë dhe botës”.

Në emër të Ambasadës së Japonisë në Tiranë, i Ngarkuari me Punë, z. Omori, lexoi një mesazh nga Ambasadorja Kato, duke nënvizuar angazhimin e fortë të Japonisë ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen e vazhdueshme për nisma që nxisin bashkëpunimin rajonal dhe lidhje më të forta institucionale me komunitetet e diasporës.

Drejtori Ekzekutiv i Fondit të Ballkanit Perëndimor, Dr. Gjergj Murra, theksoi se konferenca nuk është vetëm një pikë takimi për shkëmbim idesh, por edhe një hap konkret drejt identifikimit të zgjidhjeve afatgjata rajonale, veçanërisht në kontekstin e humbjes së kapitalit njerëzor dhe nevojës për bashkëpunim më të fortë me komunitetet e diasporës.

Drejtoresha e Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit, znj. Kapustová Helbichová, përshëndeti gjithashtu liderët rajonalë të mbledhur në Tiranë, duke rikonfirmuar mbështetjen e IVF për dialogun rajonal, bashkëpunimin dhe partneritete më të forta ndërkufitare.
Konferenca “#LeadBalkans – Liderët Rajonalë të Diasporës” organizohet nga Fondi i Ballkanit Perëndimor, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Japonisë, Fondit Ndërkombëtar të Vishegradit dhe Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO).

