Pritje me rastin e Ditëlindjes së Perandorit
2026/2/19

Të enjten, më 19 shkurt, Ambasadorja Kato organizoi një pritje për të festuar Ditëlindjen e Perandorit në Tiranë.
Në këtë pritje mori pjesë si i ftuar nderi Sh.T. Z. Bajram Begaj, President i Shqipërisë, dhe ishin të pranishëm mbi 300 të ftuar, përfshirë Nënkryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, zyrtarë të qeverisë shqiptare, mes tyre disa ministra të kabinetit, drejtues të pushtetit vendor, anëtarë të trupit diplomatik të akredituar në vend, si dhe përfaqësues nga fusha akademike, kulturore, sportive dhe e biznesit.
Pritja nisi me interpretimin e himneve kombëtare të Japonisë dhe Shqipërisë nga vullnetarë shqiptarë të korit “BujArt International Chamber Choir”.
Më pas, Ambasadorja mbajti një fjalim, gjatë të cilit bëri një përmbledhje të veprimtarive të Ambasadës dhe ecurisë së marrëdhënieve Japoni–Shqipëri në vitin 2025, përfshirë vizitën e parë në Shqipëri të misionit të biznesit të JETRO-s dhe vizitën e dytë të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri–Japoni. Ajo gjithashtu shprehu angazhimin e saj për të punuar për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në fusha të ndryshme.
Ambasadorja Kato shprehu mirënjohjen e saj ndaj z. Avni Ponari, Konsull Nderi i Japonisë në Vlorë, për kontributin e tij të vazhdueshëm, si dhe prezantoi z. Chigiru Yamashita, Drejtor i Zyrës së JICA-s për Ballkanin, me juridiksion mbi Shqipërinë, dhe z. Tadashi Murakami, Drejtor i Zyrës së JETRO-s në Vjenë.

Presidenti Begaj, Konsulli i Nderit Ponari dhe Ambasadorja Kato kryen ceremoninë tradicionale të thyerjes së fuçisë së sakés (kagami-biraki) dhe më pas ngritën një dolli për të festuar Ditëlindjen e Perandorit, si edhe për të uruar vazhdimësinë e prosperitetit të Japonisë dhe Shqipërisë.

Pritja ofroi gatime japoneze, përfshirë një demonstrim të përgatitjes së nigiri sushi-t nga Kazumi Miyashita, Shefe e kuzhinës në Ambasadën e Japonisë, si dhe promovimin e sakés japoneze, uiskit dhe verës japoneze. Gjithashtu u shfaq video fituese e çmimit “Cool Japan Platform Award”, duke u dhënë të pranishmëve një mundësi të shkëlqyer për të përjetuar nga afër hijeshitë e shumta të Japonisë.

Në vijim të praktikës së nisur vitin e kaluar, disa kompani anëtare të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri–Japoni (AJCCI) vendosën stenda për të prezantuar veprimtarinë e tyre në Japoni, ndërsa u hap gjithashtu një stendë e re për të prezantuar programin e Ambasadës për Asistencën për Projekte të Sigurisë Njerëzore në Nivel Bazë (GGP), duke u ofruar vizitorëve një mundësi të shkëlqyer për t’u njohur me këto iniciativa.
Ambasada e Japonisë do të vazhdojë të punojë me përkushtim edhe në vitin 2026, në bashkëpunim dhe koordinim me JICA-n, JETRO-n dhe AJCCI-n, për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Japoni–Shqipëri.
Ambasada e Japonisë do të vazhdojë të punojë me përkushtim edhe në vitin 2026, në bashkëpunim dhe koordinim me JICA-n, JETRO-n dhe AJCCI-n, për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve Japoni–Shqipëri.
