Nënshkrimi i Kontratës së Grantit për“Projektin për Rikonstruksionin e një Jetimoreje në Bashkinë Shkodër, në kuadër të skemës së Granteve për Projekte të Sigurisë Njerëzore në Nivel Lokal për vitin fiskal 2025”
2026/2/2

Të hënën, më 2 shkurt, në Ambasadën e Japonisë u mbajt ceremonia e nënshkrimit të Kontratës së Grantit për “Projektin për Rikonstruksionin e një Jetimoreje në Bashkinë Shkodër”, në kuadër të skemës së Granteve për Projekte të Sigurisë Njerëzore në Nivel Lokal (GGP) për vitin fiskal 2025. Kontrata e grantit u nënshkrua mes Ambasadores Kato dhe z. Alban Preka, Zëvendëskryetar i Bashkisë Shkodër. Nëpërmjet këtij granti do të realizohet rinovimi i godinës, instalimeve elektrike, tualeteve si dhe mobilimi i ambienteve të ngrënies së jetimores në Shkodër.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Ambasadorja Kato u shpreh se rinovimi i jetimores përmes këtij projekti do t’u mundësojë rreth 30 fëmijëve të jetojnë në një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur, duke kontribuar në zhvillimin e tyre të shëndetshëm. Ajo theksoi gjithashtu se ky projekt kontribuon në “rritjen e barabartë e të qëndrueshme”, një nga dy fushat kryesore të bashkëpunimit ekonomik të Japonisë me Shqipërinë. Gjithashtu, Ambasadorja Kato shprehu dëshirën që marrëdhëniet ndërmjet Japonisë, Bashkisë Shkodër, e më gjerë me Shqipërinë, të thellohen edhe më tej. Zëvendëskryetari Preka shprehu mirënjohjen e tij ndaj popullit japonez për mbështetjen e dhënë.

