Ambasadorja Kato mori pjesë në sesionin e raportimit, të organizuar nga Shoqata JICA Alumni Shqipëri (JAAA)

2026/1/30

   Të premten, më 30 janar, Ambasadorja Kato mori pjesë në një sesion raportimi të ish-pjesëmarrësve të trajnimeve JICA, i mbajtur në Tiranë dhe i organizuar nga Shoqata JICA Alumni Shqipëri (JAAA), me ftesë të vetë Shoqatës.
 
  

   Ky sesion informues organizohet rregullisht nga JAAA pas kthimit të pjesëmarrësve të trajnimeve JICA nga Japonia. Në fjalën e tij hapëse, Presidenti i JAAA, Dr. Sajmir Hoxha, shprehu mirënjohjen për mundësitë e vlefshme që programi vjetor i trajnimeve të JICA-s i ofron zhvillimit të Shqipërisë, duke theksuar se ky program kontribuon në rritjen e aftësive profesionale të aktorëve të ndryshëm në Shqipëri si dhe në forcimin e marrëdhënieve bashkëpunuese mes Japonisë dhe Shqipërisë.
    Ambasadorja Kato u shpreh e kënaqur që ish-pjesëmarrësit po përdorin njohuritë e specializuara dhe përvojën e fituar në Japoni për të kontribuar në zhvillimin e Shqipërisë, dhe uroi që ata jo vetëm të jenë të suksesshëm në fushat e tyre profesionale, por edhe të shërbejnë si një urë miqësie mes Japonisë dhe Shqipërisë. Ajo gjithashtu çmoi rolin e JAAA në forcimin e rrjetëzimit ndërmjet ish-pjesëmarrësve të trajnimeve dhe theksoi se Ambasada do të vijojë të ofrojë çdo mbështetje të mundshme.
   Në vijim, z. Sokol Konomi, Koordinator Teknik i JICA-s, prezantoi objektivat dhe strukturën e programit të trajnimeve të JICA-s, mbi bazën e të cilave gjashtë pjesëmarrës, kryesisht nga programi i trajnimeve 2025, paraqitën prezantime mbi rezultatet e trajnimeve të tyre përkatëse.