Nënshkrimi i Kontratës së Grantit për “Projektin për Sigurimin e Pajisjeve të Specializuara për Realizimin e Protezave dhe Ortezave në Tiranë” në kuadër të skemës së “Granteve për Projekte të Sigurisë Njerëzore në Nivel Lokal për vitin fiskal 2025”.

2026/1/9

  Të premten, më 9 janar, në Ambasadën e Japonisë u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të kontratës së grantit për “Projektin për Sigurimin e Pajisjeve të Specializuara për Realizimin e Protezave dhe Ortezave në Tiranë”, në kuadër të Granteve për Projekte të Sigurisë Njerëzore në Nivel Lokal për vitin fiskal 2025. Kontrata e grantit u nënshkrua mes Ambasadores Kato dhe Z. Izet Onuzi, President i organizatës Hope for Life. Ky grant do t’i mundësojë organizatës sigurimin e pajisjeve të specializuara për prodhimin e gjymtyrëve protetike.
 

   Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Ambasadorja Kato shprehu vlerësimin e saj për kontributin e kësaj organizate në ofrimin falas të një numri të madh gjymtyrësh protetike për personat me aftësi të kufizuara, duke mbështetur riintegrimin e tyre në shoqëri. Ajo theksoi gjithashtu se ky bashkëpunim do të kontribuojë në ofrimin e protezave me cilësi më të lartë dhe në realizimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse ku personat me aftësi të kufizuara të mos lihen pas, duke u dhënë shpresë për riintegrimin e tyre në jetën shoqërore.
 
   Ambasadorja uroi gjithashtu që ky bashkëpunim të kontribuojë në forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Japonisë, organizatës Hope for Life, Tiranës dhe Shqipërisë.

 

 
   Z. Onuzi, President i organizatës Hope for Life, shprehu mirënjohjen e tij ndaj popullit dhe Qeverisë së Japonisë për mbështetjen e dhënë.