Përshëndetje për Vitin e Ri nga Ambasadorja KATO Kikuko
2026/1/6

Në fillim të vitit 2026, dëshiroj të përcjell disa fjalë përshëndetëse.
Gjatë vitit 2025, vitit tim të dytë si Ambasadore e Japonisë në Republikën e Shqipërisë, pata privilegjin të takoja shumë shqiptarë në Tiranë dhe në mbarë vendin, nga sektorë të ndryshëm. Pata shkëmbime të frytshme mendimesh dhe mundësi të shumta për të promovuar Japoninë. Përmes këtyre përvojave, kam kuptuar se përpjekjet e ndryshme bashkëpunuese të Japonisë, që synojnë mbështetjen e reformave ekonomike dhe shoqërore të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, në kuadër të “Nismës së Bashkëpunimit për Ballkanin Perëndimor”, po priten pozitivisht në Shqipëri. Për më tepër, kam qenë dëshmitare e përparimit të qëndrueshëm të marrëdhënieve midis Japonisë dhe Shqipërisë, dy vende gjeografikisht të largëta, duke sjellë forcimin e lidhjeve mes dy popujve tanë.
Java e Kulturës Japoneze në tetor 2025 u shijua nga shumë miq shqiptarë, ndërsa vizita e parë e Misionit të Biznesit të JETRO-s në Shqipëri në nëntor shënoi një zhvillim të rëndësishëm në marrëdhëniet Japoni–Shqipëri. Për më tepër, Japonia ka nxitur bashkëpunimin me organizata rajonale që promovojnë pajtimin dhe bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor, si Fondi i Ballkanit Perëndimor (WBF) dhe Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor (RYCO), të dyja me seli në Tiranë. Në vlerësim të kontributit të dhënë nga këto organizata, pata nderin t’ju dorëzoja të dyjave Certifikatën e Mirënjohjes së Ambasadores në dhjetor 2025, gjë që besoj se ka një rëndësi të madhe për marrëdhëniet midis Japonisë, Shqipërisë dhe gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për format e ndryshme të bashkëpunimit dhe mbështetjes që Ambasada jonë ka marrë nga populli i Shqipërisë në ndjekjen e veprimtarive tona gjatë vitit të kaluar.
Ky vit është Viti i Kalit të Zjarrit (Hinoe Uma) sipas zodiakut oriental dhe konsiderohet një vit veçanërisht energjik, i karakterizuar nga kombinimi i shenjës së dymbëdhjetë të zodiakut “Kali” dhe nga një nga dhjetë trungjet qiellore, “Zjarri”. Në këtë 2026 dinamike, dëshiroj të forcoj më tej marrëdhëniet miqësore midis Japonisë dhe Shqipërisë në të gjitha fushat.
E vlerësoj thellësisht bashkëpunimin tuaj të vazhdueshëm në këtë drejtim.
Uroj sinqerisht që ky vit t’ju sjellë begati dhe përmbushje të gjithëve.
5 Janar 2026
KATO Kikuko
