Mirënjohja e Ambasadores së Japonisë në Shqipëri për Fondin e Ballkanit Perëndimor dhe Zyrën Rajonale për Bashkëpunimin Rinor

2025/12/3
 
  Të mërkurën, më 3 dhjetor, Ambasadorja Kato organizoi një ceremoni për dorëzimin e certikatës së mirënjohjes së Ambasadores për Fondacionin e Ballkanit Perëndimor (WBF) dhe Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor (RYCO). Në praninë e znj. Megi Fino, Zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe anëtarëve të trupit diplomatik të Ballkanit Perëndimor, Ambasadorja Kato i dorëzoi certifikatat Dr. Gjergj Murra, Sekretar i Përgjithshëm i WBF, dhe z. Vladimir Obradovic, Sekretar i Përgjithshëm i RYCO.

 
  

    Japonia ka bashkëpunuar me WBF (me seli në Tiranë), i cili u themelua në vitin 2015 me synimin e promovimit të bashkëpunimit brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor. Si pjesë e “Nismës për Bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor” (propozuar nga ish-Kryeministri Abe në vitin 2018), WBF ka organizuar çdo vit, që prej vitit 2019, simpoziume rajonale që trajtojnë sfidat e ndryshme me të cilat përballet rajoni, me qëllim nxitjen e harmonisë dhe bashkëpunimit rajonal. Këtë vit, do tëjetë edicioni i shtatë i këtij bashkëpunimi.

   Gjithashtu, RYCO (me seli në Tiranë), e themeluar në vitin 2016 me synimin e promovimit të harmonisë dhe bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor përmes shkëmbimeve rinore në rajon, që prej vitit 2018 ka asistuar në rekrutimin dhe përzgjedhjen e pjesëmarrësve nga Ballkani Perëndimor për Programin MIRAI, i cili zhvillohet nga Ministria e Punëve të Jashtme të Japonisë për të promovuar shkëmbimet rinore midis Evropës dhe Japonisë.

 
  
 
    Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve, Ambasadorja Kato shprehu vlerësimin e saj për WBF dhe RYCO, duke theksuar se janë partnerë të rëndësishëm në përpjekjet konkrete të “Nismës së Bashkëpunimit të Japonisë për Ballkanin Perëndimor”. Ajo gjithashtu vlerësoi kontributin e rëndësishëm që të dy organizatat kanë dhënë në promovimin e bashkëpunimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë mes Japonisë dhe Ballkanit Perëndimor, krahas rolit të tyre të përditshëm në nxitjen e bashkëpunimit dhe pajtimit brenda vetë rajonit. 

   Sekretari i Përgjithshëm i WBF, z. Murra, dhe Sekretari i Përgjithshëm i RYCO, z. Obradovic, shprehën mirënjohjen e tyre për vlerësimet dhe deklaruan se do të vazhdojnë të kontribuojnë në nxitjen e harmonisë dhe bashkëpunimit në rajon, si dhe në forcimin e marrëdhënieve dhe promovimin e mirëkuptimit të ndërsjellë midis Japonisë dhe Ballkanit Perëndimor, përmes aktiviteteve të organizatave që ata drejtojnë.

 
  
 
   Pas ceremonisë, të pranishmit shijuan kuzhinën japoneze të përgatitur nga shefja kuzhinës së Rezidencës së Ambasadores, Znj. Miyashita, si dhe një shumëllojshmëri pijesh alkoolike japoneze, ndërsa vazhduan bisedat mes tyre.