“Java e Filmit Japonez” (Java e Kulturës Japoneze 2025)

2025/10/14
   
Të martën, më 14 tetor, në Qendrën e Artit “Agimi” në Tiranë u çel aktiviteti “Java e Filmit Japonez”, pjesë e Javës së Kulturës Japoneze 2025. Këtë vit, java e filmit do të shfrytëzojë bibliotekën filmike të “Japan Foundation” dhe do të shfaqë pesë filma nga data 14 deri më 18 tetor.

 

 
    Ambasadorja Kato hapi ceremoninë, ku mori pjesë edhe Z. Keitaro Arima, Zëvendësdrejtor i Institutit Kulturor Japonez në Romë. Në fjalën e saj, Ambasadorja shprehu kënaqësinë që “Java e Filmit Japonez” po zhvillohet sërish këtë vit si pjesë e Javës së Kulturës Japoneze, duke falënderuar Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë, Bashkinë e Tiranës, Qendrën e Artit “Agimi” ku po mbahet aktiviteti, si dhe Institutin Kulturor Japonez në Romë për bashkëpunimin e tyre.
Ajo shtoi se “Java e Filmit Japonez” e këtij viti do të përfshijë një përzgjedhje të larmishme filmash përgjatë pesë ditëve të shfaqjeve, që variojnë nga histori për të rinjtë e deri te dramat njerëzore të frymëzuara nga jeta e përditshme. Ambasadorja shprehu shpresën që, përmes këtyre filmave, shikuesit të kenë mundësinë të përjetojnë botëkuptimin e gjerë dhe shumëngjyrësh të kinemasë japoneze.

   
   Z. Klodian Burri, Menaxher i Aseteve të Qendrës së Artit “Agimi”, mbajti gjithashtu një fjalë përshëndetëse me rastin e Javës së Filmit Japonez, duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin me Ambasadën e Japonisë për herë të dytë. Në aktivitet morën pjesë njerëz të moshave të ndryshme, të cilët shijuan filmat japonezë të shfaqur gjatë eventit.