Shkëmbim mendimesh me z. Hani, Sekretarin e Përgjithshëm të Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor (RYCO) për Ballkanin Perëndimor
2025/2/14

Të premten, më 14 shkurt, Ambasadorja Kato shkëmbeu mendimet dhe pikëpamjet e saj me z. Albert Hani, Sekretarin e Përgjithshëm të Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor (RYCO) për Ballkanin Perëndimor, në zyrat e kësaj të fundit.
RYCO u themelua në Samitin e Ballkanit Perëndimor në vitin 2016 me qëllim promovimin e komunikimit të ndërsjelltë, mirëkuptimin dhe forcimin e paqes midis të rinjve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia). Selia e RYCO-s ndodhet në Tiranë, Shqipëri.

RYCO mbështet dhe bashkëpunon në zbatimin e programit "MIRAI" në Ballkanin Perëndimor, një nismë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Japonisë, e cila fton të rinj profesionistë evropianë në Japoni përmes programeve të shkëmbimit me tema të ndryshme, me qëllim promovimin dhe njohjen e Japonisë.
Sekretari i Përgjithshëm, z. Hani, shprehu mirënjohjen e tij ndaj palës japoneze duke theksuar se që nga nisja e tij në Ballkanin Perëndimor në vitin 2018, programi MIRAI ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për paqen, harmonizimin dhe bashkëpunimin në këtë rajon.
Ambasadorja Kato shprehu mirënjohjen e saj për bashkëpunimin e RYCO-s në zbatimin e programit MIRAI. Duke marrë përshtypjet nga ish-pjesëmarrësit e programit MIRAI rreth vizitës në Japoni, Ambasadorja diskutoi me Sekretarin e Përgjithshëm z. Hani dhe të pranishmit e tjerë mbi rëndësinë e programit MIRAI dhe shkëmbimeve rinore.