Ceremonia e nënshkrimit të projektit në bashkëpunim me Fondin e Ballkanit Perëndimor
2024/10/28
Ditën e hënë, më 28 tetor, Ambasadorja Kato dhe Sekretari i Përgjithshëm i Fondit të Ballkanit Perëndimor (WBF), Z. Gjergj Murra, nënshkruan marrëveshjen për zhvillimin e simpoziumin “Zhvillimi i balancuar përmes bashkëpunimit rajonal -Impakti në autoritetet vendore”.
Ky projekt synon të identifikojë problematikat në bashkëpunimin rajonal dhe ngritjen e kapaciteteve në qeverisjen vendore, me qëllim arritjen e një zhvillimi të ekuilibruar në Ballkanin Perëndimor, ku pabarazitë rajonale për shkak të përqendrimit të funksioneve të ndryshme në kryeqytete mbeten problematike. Në kuadër të projektit do të zhvillohet një simpozium me pjesëmarrjen e aktorëve të ndryshëm, duke përfshirë zyrtarë të qeverisjes qendrore dhe vendore, akademikë, media dhe publikun e gjerë. Qeveria e Japonisë do të dhurojë 51 mijë euro për Fondin e Ballkanit Perëndimor.
Kjo mbështetje nga Japonia është pjesë e "Iniciativës për Bashkëpunim për Ballkanin Perëndimor", nisur nga kryeministri i atëhershëm Abe në janar të vitit 2018. Iniciativa synon të mbështesë reformat ekonomike dhe sociale në vendet e Ballkanit Perëndimor në përputhje dhe me procesin për anëtarësimin në BE, si dhe promovimin e bashkëpunimit brenda Ballkanit Perëndimor.
Në ceremoninë e nënshkrimit, ambasadorja Kato u shpreh se temat e këtij simpoziumi janë sfidat e përbashkëta me të cilat përballen vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe se shpreson që identifikimi i tyre dhe ndërtimi i një rrjeti ndërmjet palëve do të çonte në eliminimin e pabarazive socio-ekonomike në të gjithë vendin, rajonin si dhe në përmirësimin e punës së pushtetit vendor. Ajo konfirmoi se do të vazhdojë të punojë me Fondin e Ballkanit Perëndimor dhe palët e përfshira për të siguruar suksesin e këtij aktiviteti.