The Nippon Foundation dhe Tokyo Foundation Policy Research Institute dhurojnë libra për Bibliotekën e Universitetit të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Projektit READ JAPAN

2026/7/2

  Të enjten, më 2 korrik, Ambasadori Kato kryesoi ceremoninë e dorëzimit të një donacioni librash për Bibliotekën e Universitetit WBU, në kuadër të Projektit READ JAPAN – Programi i Donacionit të Librave për Promovimin e Njohjes mbi Japoninë, i zhvilluar nga The Nippon Foundation dhe Tokyo Foundation Policy Research Institute për vitin fiskal 2025.

  Ky projekt, i njohur si READ JAPAN PROJECT, zbatohet që prej vitit 2008 me synimin për të dhuruar libra në gjuhën angleze mbi Japoninë institucioneve arsimore dhe kërkimore jashtë vendit. Në Shqipëri, donacione të tilla për bibliotekat universitare dhe publike janë realizuar që nga viti 2011.

   Ky është donacioni i 20-të i këtij projekti në Shqipëri dhe përfshin 176 libra në gjuhën angleze, që mbulojnë një gamë të gjerë fushash, përfshirë politikën, ekonominë, shoqërinë dhe kulturën japoneze.
 

  Në ceremoninë e dhurimit të librave, ku morën pjesë Prof. Dr. Ferdinand Gjana, Rektor i Universitetit si dhe përfaqësues të tjerë të universitetit, Ambasadorja Kato shprehu shpresën se librat e dhuruar për bibliotekën e universitetit do të kontribuojnë në thellimin e njohurive mbi Japoninë mes studentëve dhe stafit akademik, do të nxisin mirëkuptimin e ndërsjellë ndërmjet dy vendeve dhe do të forcojnë më tej marrëdhëniet ndërmjet Ambasadës dhe universitetit.
 
  Nga ana e tij, Prof. Dr. Ferdinand Gjana, shprehu mirënjohjen për donacionin e librave, si edhe dëshirën për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të bashkëpunimit me Ambasadën e Japonisë dhe me Japoninë.
Në qershor 2025, Universiteti i Ballkanit Perëndimor i akordoi titullin "Doctor Honoris Causa" z. Yohei Sasakawa, Kryetar i atëhershëm (aktualisht Kryetar Nderi) i The Nippon Foundation.

  

  Përpara ceremonisë së dorëzimit të donacionit, Ambasadorja Kato dhe Prof. Dr. Ferdinand Gjana, shkëmbyen mendime mbi mënyrat për të zhvilluar më tej bashkëpunimin dhe shkëmbimet akademike ndërmjet universiteteve japoneze dhe WBU.