Takimi i rrjetit të ish studentëve të bursës MEXT

Përveç anëtarëve të rrjetit, në këtë takim morën pjesë rreth 20 të ftuar me lidhje të ngushta me Japoninë, përfshirë përfaqësues të Dhomës Japoneze të Tregtisë dhe Industrisë në Shqipëri, Shoqatës JICA Alumni në Shqipëri, si edhe të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Ambasadorja Kato shprehu mirënjohjen e saj ndaj Kryetarit Genti Beqiri, i cili luan një rol kyç në themelimin e Rrjetit të Alumni-ve MEXT, si edhe ndaj të gjithë anëtarëve për bashkëpunimin e vazhdueshëm me Ambasadën në fusha të ndryshme, përfshirë procesin e përzgjedhjes së bursistëve MEXT dhe organizimin e programeve të kulturës japoneze.
Ajo gjithashtu theksoi se Ambasada do të vazhdojë të mbështesë aktivitetet e Rrjetit të Alumni-ve MEXT, të përbërë nga ish-studentë që kanë përjetuar nga afër kulturën japoneze gjatë studimeve të tyre në Japoni, me synimin që ky rrjet të vazhdojë të shërbejë si një urë miqësie ndërmjet Japonisë dhe Shqipërisë dhe të kontribuojë në forcimin e mirëkuptimit të ndërsjellë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari Beqiri rikonfirmoi angazhimin e Shoqatës për të vijuar kontributin e saj në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve miqësore ndërmjet Japonisë dhe Shqipërisë.

Në këtë takim morën pjesë edhe dy ish-ambasadorë të Shqipërisë në Japoni, të cilët janë njëkohësisht ish studentë të programit MEXT dhe anëtarë të rrjetit të ish studentë MEXT: Prof. Asoc. Bujar Dida, aktualisht pedagog në Universitetin Politeknik të Tiranës, dhe z. Gjergj Teneqexhiu, aktualisht këshilltar pranë Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.Shqiptaro-Japoneze.
Nga Shoqata e JICA Alumni në Shqipëri morën pjesë gjithashtu Presidenti Sajmir Hoxha dhe Koordinatori në terren i JICA-s, Sokol Konomi.
Gjatë mbrëmjes, ndërsa shijuan ushqime japoneze të përgatitura nga shefi i kuzhinës Hideki Miura dhe lloje të ndryshme sakeje japoneze, pjesëmarrësit shkëmbyen mendime mbi zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes Japonisë dhe Shqipërisë, si dhe zhvilluan biseda në kuadër të rrjetëzimit profesional.


