Dhurim librash për Bibliotekën Publike të Dibrës në kuadër të Projektit READ JAPAN për Promovimin e Njohjes së Japonisë, realizuar nga Fondacioni Nippon dhe Fondacioni i Tokios për Kërkime në Politika.


Në ceremoninë e dhurimit, ku morën pjesë Kryetari i Bashkisë Dibër, Rahim Spahiu, dhe Drejtoresha e Bibliotekës Publike të Dibrës, Florida Sela, Ambasadorja Kato shprehu shpresën se librat e dhuruar do të kontribuojnë në thellimin e njohurive të qytetarëve të Dibrës për Japoninë, në forcimin e mirëkuptimit mes dy vendeve, si dhe në përmirësimin e njohurive të tyre të gjuhës angleze përmes leximit të librave në anglisht.
Nga ana e tyre, Kryetari i Bashkisë Spahiu dhe Drejtoresha e Bibliotekës Sela shprehën mirënjohjen e tyre për dhurimin e librave dhe dëshirën për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me Ambasadën e Japonisë dhe me Japoninë.

Kryetari i Bashkisë Spahiu shprehu gjithashtu mirënjohjen e tij për këtë dhurim librash nga Fondacioni Nippon dhe ritheksoi vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria e Japonisë i ka ofruar Bashkisë Dibër ndër vite. Kjo mbështetje përfshin dhurimin e kamionëve për grumbullimin e mbetjeve dhe automjeteve zjarrfikëse në kuadër të Programit të Ndihmës për Projekte Bazë për Sigurinë Njerëzore (GGP), si dhe mbështetjen financiare për një projekt të Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) për instalimin e sistemeve të prodhimit të energjisë elektrike me panele diellore.
Ambasadorja Kato dhe Kryetari i Bashkisë Spahiu shkëmbyen gjithashtu mendime mbi mundësitë për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Ambasadës së Japonisë dhe Bashkisë Dibër, si dhe ndërmjet Japonisë dhe qytetit të Dibrës.

