Mesazhi i Ambasadores për Vitin e Ri

2024/1/4
Në fillim të vitit 2024, më lejoni t’ju përcjell mesazhin tim.
 
Fillimisht, shpreh ngushëllimet e mia të përzemërta për viktimat dhe familjet e tyre, si dhe për të lënduarit në tërmetin e 1 Janarit 2024 në Gadishullin Noto të Japonisë. Gjithashtu dëshiroj të shpreh respektin tim për të gjithë ata që janë duke bërë maksimumin për të ndihmuar në zonat e prekura dhe njerëzit e prekur.
 
Më lejoni gjithashtu të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Qeverinë Shqiptare, popullin e Shqipërisë dhe anëtarët e trupit diplomatik në Shqipëri për mesazhet e tyre të ngrohta solidarizuese.
 
Më datë 19 Dhjetor 2023, i paraqita Letrat Kredenciale Presidentit të Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Bajram Begaj, dhe prej kësaj date, kam nisur zyrtarisht aktivitetet e mia diplomatike në Shqipëri. Do të bëj çdo përpjekje për të forcuar dhe zhvilluar më tej marrëdhëniet e mira mbi 100-vjeçare midis Japonisë dhe Shqipërisë në fusha të ndryshme, përfshirë këtu fushën politike, ekonomike dhe kulturore, si dhe bashkëpunimin tonë të mirë në arenën ndërkombëtare. Vlerësoj këshillat dhe bashkëpunimin tuaj në këto përpjekje.
 
Ju uroj gjithë të mirat për këtë vit!
 
4 Janar 2024
 
Kikuko KATO