Më 9 nëntor, Ambasadori Takada mori pjesë në një seminar të JICA-s të mbajtur në Tiranë, në kuadër të "Projektit për Ngritjen e Kapaciteteve për Përmirësimin e Menaxhimit të Ekosistemeve në Parkun Kombëtar Divjakë Karavasta". Në këtë seminar morën pjesë edhe Znj. Pirushi, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Z. Shehaj, Prefekti i Qarkut të Fierit, Z. Ueki, Krye-përfaqësuesi i Zyrës për Ballkanin të Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar (JICA) dhe të tjerë.
Ambasadori Takada shprehu kënaqësinë e tij që projekti i JICA-s ka kontribuar në krijimin e një modeli që harmonizon ruajtjen dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të zonave të mbrojtura, dhe promovon një qasje të menaxhimit të bazuar në ekosistem. Ai gjithashtu uroi që përmirësimet në parkun kombëtar të vijojnë në gjysmën e dytë të projektit.