Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes së re të bashkëpunimit për projektin (Konferenca Rajonale Për Lidershipin E Grave) me Fondin e Ballkanit Perëndimor
2022/10/21


Ambasadori i Japonisë në Shqipëri Sh.T.Z. Mitsuyuki TAKADA dhe Z. Gjergj Murra, Drejtori Ekzekutiv i Fondit të Ballkanit Perëndimor, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për projektin e quajtur "KONFERENCA RAJONALE PËR LIDERSHIPIN E GRAVE". Ky projekt synon të nxisë qasjen e barabartë të grave në lidershipin e bizneseve, qeverisjes dhe organizatave jofitimprurëse brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor, rajonit të Vishegradit (V4) dhe më gjerë.
Japonia do të mbështesë Fondin e Ballkanit Perëndimor me një shumë prej €53,000, për të organizuar një konferencë rajonale që do të trajtojë pjesëmarrjen e barabartë të grave dhe burrave në vendimmarrje, dhe do të ndihmojë në arritjen drejt objektivit të barazisë, zhvillimit dhe paqes në rajon.
Mbështetja e Japonisë vjen në kuadrin e “Iniciativës për Bashkëpunim me Ballkanin Perëndimor”, një iniciativë e nisur nga ish-Kryeministri i Japonisë, Shinzo ABE në janar të vitit 2018. Kjo nismë synon të mbështesë reformat socio-ekonomike në Ballkanin Perëndimor, deri në anëtarësimin e rajonit në BE. Për këtë arsye, Japonia i kushton rëndësi të madhe bashkëpunimit me Fondin e Ballkanit Perëndimor, si një organizatë me të cilën ndajmë qëllimin e përbashkët të forcimit të bashkëpunimit dhe integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.
Japonia e ka mbështetur Fondin e Ballkanit Perëndimor tre herë deri më tani, ku shembulli më i fundit është në mars të vitit 2022, kur Ambasada mbështeti fondin për organizimin e një konference rajonale që synonte të luftojë gjuhën e urrejtjes dhe shpifjen, në rajonet e Ballkanit Perëndimor dhe Vishegradit.
Kjo është hera e dytë që Fondi Ndërkombëtar i Vishegradit (IVF) bashkon forcat me Ambasadën e Japonisë dhe Fondin e Ballkanit Perëndimor, duke sjellë përvojat dhe sfidat e rajonit të Vishegradit.
Ky projekt është një arritje e Takimit të 7-të të Ministrave të Jashtëm “V4 plus Japonia”, i zhvilluar gjatë vizitës së ish-Ministrit të Jashtëm të Japonisë, Z. Motegi Toshimitsu në Poloni më 7 maj 2021, ku ministrat konfirmuan mbështetjen për Ballkani Perëndimor. Në këtë kontekst, ky projekt është një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit të Japonisë dhe vendeve të Vishegradit në Ballkanin Perëndimor.
Në takimin e zhvilluar përpara nënshkrimit të marrëveshjes, Ambasadori TAKADA dhe Z. Murra folën mbi situatën në Ballkanin Perëndimor. Ambasadori konfirmoi angazhimin e Qeverisë së Japonisë për të mbështetur më tej rajonin dhe për gjetjen e mundësive të reja konkrete për bashkëpunim si me rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe me rajonin e Vishegradit.