Firmoset Marrëveshja e Grantit me Organizatën Joqeveritare HELP (GGP: Grante për Projekte të Sigurisë Njerëzore në Nivel Lokal)

2022/3/16
Në datën 16 mars, në ambientet e Ambasadës së Japonisë, u zhvillua ceremonia e firmosjes së marrëveshjes së grantit për dhurimin e dy makinave zjarrfikëse për Bashkinë Tiranë, në kuadër të skemës “Grante për Projekte të Sigurisë Njerëzore në Nivel Lokal” (GGP). Marrëveshja e grantit u firmos nga Ambasadori Takada,  dhe z. Ilir Liço, Drejtori i Zyrës së OJQ-së HELP për Shqipërinë.


 
Nëpërmjet këtij bashkëpunimi do të dërgohen 2 makina zjarrfikëse nga Japonia për Bashkinë Tirane.  Në këtë ceremoni, morën pjesë edhe Drejtori i Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit (MZSH) të Bashkisë Tiranë, z. Shkëlqim Goxhaj dhe Shefi i Sektorit nr.4 “Kinostudio”, Drejtoria e MZSH-së, z. Alban Laçi.


 
Gjatë ceremonisë, Ambasadori Takada uroi që ky bashkëpunim të përmirësojë shërbimet e mbrojtjes dhe parandalimit të zjarreve dhe shpëtimit në Bashkinë Tiranë duke shtuar se këto mjete do të rrisin kapacitetet e shërbimit të MZSH-së të Tiranës për t’u përballur me zjarret dhe fatëkeqësitë natyrore. Nga ana e tyre, Drejtori i zyrës së OJQ-së HELP për Shqipërinë, z. Liço dhe Drejtori i MZSH-së, z. Shkëlqim Goxhaj shprehën falënderimet e tyre për këtë bashkëpunim.

* Maskat u hoqën vetëm në momentin e realizimit të fotografive.