Një mik në nevojë është një mik i vërtetë

2019/3/11

Tetë vjet më parë, më datë 11 mars 2011, Japonia përjetoi “Tërmetin e Madh të Japonisë Lindore”.
 
Kjo ishte një katastrofë natyrore e paprecedent që përfshiu një tërmet dhe një cunami të cilët shkatërruan rajonin e Tohoku-t në vendin tonë. Dëmtimet që pësoi centrali bërthamor në Fukushima e ndërlikuan më tepër situatën. Shkalla e katastrofës dhe shtrirja e saj ishin të tilla që dëmi i shkaktuar ishte dërrrmues. Rreth 16,000 persona u deklaruan të humbur dhe mbi 2,000 prej tyre nuk janë gjetur ende.
 
 Japonia është një shtet shumë i ndjeshëm ndaj katastrofave natyrore, me një eksperiencë të gjatë në përballimin jo vetëm të tërmeteve dhe cunamëve, por edhe të një sërë katastrofash të tjera si përmbytjet, erërat e forta, erozioni, thatësira, rrëshqitja e gurëve etj., prandaj do të donim të ndanim eksperiencën tonë në fushat e parandalimit të katastrofave natyrore, vlerësimit të nevojave dhe reagimit ndaj emergjencave të tilla.
 
Përgjatë viteve, Agjencia Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA) ka organizuar seminare të shumtë për ngritjen e kapaciteteve njerëzore të ekspertëve të huaj duke përfshirë edhe profesionistë shqiptar, në mënyrë që t’u mundësojë autoriteteve përkatëse të ngarkuara për aksionet emergjente, njohuritë e nevojshme në fushën e parandalimit, vlerësimit të nevojave dhe përgjigjen në rast emergjencash, gjithashtu dhe mbi plotësimin e menjëhershëm të nevojave të personave të prekur.
Menjëherë pas tërmetit në rajonin Tohoku, në vitin 2011, miqtë tanë nga e gjithë bota, mes tyre edhe persona nga Shqipëria iu përgjigjën me ndihmë dhe asistencë të jashtëzakonshme. Shqiptarët treguan një bujari e dhembshuri të madhe. Prandaj, Qeveria Japoneze tregon interes për bashkëpunim të mëtejshëm me Shqipërinë.
 
Do të doja të përcillja falënderimet tona të sinqerta për popullin dhe Qeverinë Shqiptare si dhe për mbështetjen e ndihmën e tyre gjatë kësaj kohe kur Japonia kishte nevojë për ndihmë.
Ne nuk do të harrojmë kurrë.
 
Ambasadori i Japonisë
Makoto Ito