Ceremonia e firmosjes së “Projektit për përmirësimin e infrastrukturës së mbrojtjes nga zjarri për Bashkinë e Beratit”

2019/3/2

Më datë 27 shkurt 2019, u zhvillua ceremonia e firmosjes së kontratës mbi “Projektin për përmirësimin e infrastrukturës së mbrojtjes nga zjarri për Bashkinë e Beratit”, në kuadrin e skemës së qeverisë japoneze për “Ndihma me Grante për Organizatat dhe Projektet e Sigurisë Njerëzore”.
Ambasadori i Japonisë, Shkëlqesia e Tij z. Makoto Ito dhe Kryetari i Bashkisë së Beratit z. Petrit Sinaj firmosën kontratën e grantit.

  
Përmes këtij projekti Ambasada e Japonisë do t’i dhurojë shumën prej 75,000 eurosh Bashkisë Berat, për blerjen e një mjeti zjarrfikës. Gjatë ceremonisë së firmosjes kryebashkiaku Sinaj i shprehu mirënjohjen e tij qeverisë japoneze.
Nga ana e tij, Ambasadori Ito shprehu pritshmërinë e tij se ky bashkëpunim do të përmirësojë ndjeshëm kapacitetet e Bashkisë së Beratit në fushën e emergjencave, duke i mundësuar këtij qyteti që është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s mbrojtje, si në rastin e aksidenteve të shkaktuara nga zjarri ashtu edhe në raste përmbytjesh që po ndodhin gjithmonë e më shpesh gjatë viteve të fundit.