Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes dhe tre sportistë të kësaj federate vizitojnë Ambasadën e Japonisë

2019/2/1

(Nga e majta në të djathtë) z. Karepi, z. Kupi, z. Ҫakmashi, Ambasadori Ito, z. Biba, z. Prizreni

Më datë 31 janar, z. Martin Biba, Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes dhe tre sportistë të kësaj federate, të cilët do të zhvillojnë takime me kolegë dhe  stërvitje të përbashkët në Japoni gjatë periudhës 11-18 shkurt 2019, në kuadrin e “Projektit për Intensifikimin e Diplomacisë Sportive”, zhvilluan një vizitë në ambientet e Ambasadës së Japonisë dhe u takuan me Ambasadorin e Japonisë në Shqipëri, Shkëlqesinë e Tij, z. Makoto Ito.

Gjatë takimit Ambasadori Ito foli mbi rëndësinë që ka sporti dhe mbi rolin që diplomacia sportive do të luajë në realizimin e Lojrave Olimpike në Tokio në vitin 2020. Ai gjithashtu u uroi Mundësve të Kombëtares Shqiptare një vizitë të suksesshme në Japoni, gjatë së cilës do të marrin pjesë në projektin e sipërpërmendur, ku dhe do të kryejnë stërvitje të përbashkët  me Federatën Japoneze të Mundjes.

Nga ana e tij, z. Biba, shprehu pritshmëritë e tij nga ky program dhe falenderoi Ambasadorin Ito për mundësinë.