Një grup të rinjsh nga Ballkani Perëndimor vizitojnë Japoninë

2018/10/24

Qeveria Japoneze vendosi të ftojë për një vizitë në Japoni 17 të rinj dhe të reja nga vendet e Ballkanit Perëndimor, në kuadrin e një bashkëpunimi me Zyrën Rajonale për Bashkëpunimin Rinor (RYCO). Grupi i të rinjve do të vizitojë Japoninë gjatë fundit të nëntorit dhe do të qëndrojë aty për një periudhë 10 ditore. Gjatë kësaj kohe të rinjve do t’u jepet mundësia të vizitojnë institucione, agjenci dhe universitete të ndryshme në mënyrë që të mund të shkëmbejnë ide me studentët Japonezë.
Më datë 22 tetor, disa ditë përpara organizimit të vizitës në Japoni, koordiantori i RYCO për projektin si dhe një prej të rinjve që do të marrin pjesë në projekt, vizituan zyrat e Ambasadës së Japonisë dhe zhvilluan një takim me Ambasadorin Ito, i cili u uroi atyre një qëndrim të frytshëm si dhe u tregoi mbi situatën aktuale politike dhe ekonomike në Japoni.