Ambasada e Japonisë dhe UNHCR mbështesin Shqipërinë për të ndihmuar njerëzit e prekur nga përmbytjet
2017/12/13


Më datë 12 dhjetor, ministrja e Mbrojtjes, Znj. Olta Xhaçka, dhe gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku, shef i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura, pritën Shkëlqesinë e tij Z. Makoto Ito, ambasador i Japonisë në Shqipëri dhe Z. Pablo Zapata, përfaqësues i UNHCR në Shqipëri, të cilët ofruan dhurimin e 2 tendave magazinimi. Dhurimi u krye nga UNHCR në kuadër të Kombeve të Bashkuara dhe i bërë i mundur falë mbështetjes së Qeverisë Japoneze.
Tendat e magazinimit, prej 12x24 metra, me vlerë afërsisht 30,000 USD, shërbejnë si hapësira të sigurta ruajtjeje për materiale gjatë situatave emergjente duke ju përgjigjur nevojave të popullsisë së prekur.
Gjatë mbledhjes, ministrja informoi mbi hapat e ndërmarra për trajtimin e pasojave të përmbytjeve. Ambasadori japonez dhe përfaqësuesi i UNHCR përgëzuan autoritetet përkatëse të ngarkuara për operacionet e ndihmës urgjente dhe plotësimin e menjëhershëm të nevojave të personave të prekur. Gjithashtu u diskutua mbi bashkëpunimin në të ardhmen mbi fushat e parandalimit, vlerësimit të nevojave dhe reagimit urgjent.