Ambasadori Ito zhvillon një vizitë kortezie në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura
2017/10/13

Më datë 12 Tetor, Ambasadori Ito zhvilloi një vizitë kortezie në Shtabin e Përgjithshëm, ku u takua me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Bardhyl Kollҫaku.
Gjatë takimit, gjeneral brigade Kollçaku, pasi i ka uruar mirëseardhjen Ambasadorit Ito me rastin e hapjes së Ambasadës së Japonisë në Tiranë, vlerësoi marrëdhëniet e deritanishme të bashkëpunimit në fushën e Mbrojtjes mes dy vendeve. Gjithashtu Shefi i Shtabit, i shprehu Ambasadorit Ito dëshirën e tij për të forcuar më tej marrëdhëniet miqësore që ekzisojnë midis dy vendeve tona.
Nga ana e tij, Ambasadori Ito e ka falënderuar shefin e Shtabit të FARSH për pritjen e ngrohtë dhe miqësore, si dhe shprehu dëshirën për të forcuar më tej bashkëpunimin midis Japonisë dhe Shqipërisë në fushën ushtarake. Ambasadori Ito u shpreh se ky bashkëpunim do vazhdojë të njohë rritje edhe në të ardhmen duke ofruar mundësi bashkëpunimi në fushat e edukimit dhe trajnimeve si dhe në ato të emergjencave civile dhe të IGJU.
Të dy bashkëbiseduesit shprehën bindjen se bashkëpunimi midis dy vendeve tona do të njohë dimensione të reja në të ardhmen.