Vizita e Ministrit Japonez të Shtetit për Punët e Jashtme SH.T.Z.Nobuo Kishi në Tiranë

2017/8/5
Ministri Japonez i Shtetit për Punët e Jashtme SH.T.Z. Nobuo Kishi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Tiranë në datat 17 dhe 18 korrik.
Më datë 17 korrik Ministër Kishi vizitoi zyrat e Ambasadës së Japonisë, Ambasadë e cila u hap në Janar të këtij viti. Më pas ai u drejtua për në Ministrinë e Punëve të Jashtme ku zhvilloi bisedime zyrtare me Ministrin e Punëve të Jashtme SH.T.Z. Ditmir Bushati mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe situatën ndërkombëtare.
Në mbrëmje, Ministër Kishi mori pjesë në ceremoninë e dhurimit të 129 makinave Toyota, e cila u zhvillua në kuadër të Ndihmës së Granteve Jo Projekte (Non-project Grant Aid NGPA) si dhe në pritjen e organizuar me rastin e inagurimit të Ambasadës së Japonisë në Tiranë. Në këtë rast Ministër Kishi mbajti gjithashtu një fjalim në emër të qeverisë së Japonisë.
Në pritjen e organizuar me rastin e inagurimit ishin të pranishëm mbi 220 pjesëmarrës të cilët erdhën nga radhët e institucioneve shtetërore dhe organizatave të ndryshme për të celebruar hapjen e Ambasadës së Japonisë në Tiranë.
Më datë 18 korrik, Ministri i Shtetit Kishi, vizitoi Muzeun Historik Kombëtar si dhe zhvilloi disa takime dypalëshe me Presidentin e Republikës SH.T.Z.Bujar Nishani, Kryeministrin SH.T.Z. Edi Rama dhe me Kryetarin e Kuvendit SH.T.Z. Ilir Meta për të diskutuar mbi forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Japonisë.